
21 vjeçari krijoi aplikacion që iu ndihmon fëmijëve të mësojnë gjuhën shqipe
Sot të rinjtë kosovarë gjithnjë e më shumë po bëhen të zotët në fusha të ndryshme, duke iu mundësuar gjeneratave të reja që të mësojnë shumë nga krijimet e tyre. Një krijim mjaft të dobishëm për fëmijët, së fundmi e krijoi 21 vjeçari Rinor Bislimi.
Djaloshi nga Vitia krijoi një aplikacion, i cili quhet “Mëso ABC”, përmes së cilit fëmijët nga mosha 1 deri 3 vjeç mund të përdorin teknologjinë për avancim, të mësojnë gjuhën shqipe dhe të shprehin idetë e tyre përmes vizatimeve të ndryshme.
E veçanta e aplikacionit është se ai mund të përdoret edhe nga njerëzit jo shqip folës, duke iu mundësuar atyre që ta mësojnë gjuhën shqipe nga përmbajtja e aplikacionit “Mëso ABC”.
Rinori gjatë një interviste tregoi se si mund të mësojnë të huajt gjuhën shqipe përmes aplikacionit.
“Përshembull nga ana vizuale dhe nga ana e zërit që gjendet në prapavijën e pamjes, gjë që ndihmon përdoruesin të kuptojë si shqiptohet, si duket, apo për cilën figurë është fjala”, shpjegoi ai, derisa shtoi që pret që aplikacioni të përdoret më shumë nga fëmijët dhe prindërit për qëllime edukative dhe arsimore.
Studenti i shkencave kompjuterike dhe inxhinierike nuk e ka ndër mend të ndalet me kaq. I pyetur se çfarë aplikacionesh të tjera synon të krijojë në të ardhmen, Rinori theksoi që pritet të krijojë aplikacione për të gjitha grupmoshat e qytetarëve.
“Ne mendojmë që gjithmonë të krijojmë aplikacione që mund të përdoren nga të gjithë qytetarët të iu plotësohen disa kërkesa apo që aplikacionet të jenë opsion shtesë, duke përmbushur nevojat e përdoruesve. Dhe të gjitha këto të jenë pa kosto shtesë, falas.”, shtoi më tutje Bislimi.