omicron.rks@gmail.com
+383-45-953-073

Lajme

img

Sfidat dhe sukseset e astronomes Kaltrina

Kaltrina Kajtazi nga Kosova, e cila jeton në Suedi vitin e kaluar ka përfunduar praktikën si austronome në NASA- AMES Research Center në Silicon Valley-SHBA. Kaltrina, e cila me prejardhje është nga Mitrovica është duke përfunduar studimet master në fushën e Astronomisë në Universitetin e Lundit në Suedi.

23 vjeçarja kosovare, së fundmi gjatë një interviste ka treguar rrugëtimin e saj nga Kosova në Suedi e deri te praktika në Agjencinë më të madhe Hapësinore në Botë-NASA-n.

Kajtazi ka treguar sfidat që ka kaluar (prej vitit 2007) që familjarisht kan shkuar në Suedi, duke përfshirë adaptimin në vend të huaj, socializimin në rreth, e po ashtu edhe në shkollë.

”Kur ne shkuam në Suedi sfida e parë ishte në përgjithësi të stabilizohemi dhe të mësojmë sistemin e atij vendi. Për mua personalisht sfida tjetër ishte të adaptohem në sistemin shkollor dhe të arrij në nivelin e njejtë si nxënësit e tjerë. Në Kosovë kam shkuar deri në klasën e pestë dhe ishte krejtësisht ma ndryshe se sa në Suedi, përmbajtja e lëndëve ishte tjetër ose nuk kisha filluar ende ndonjë lëndë. Si p.sh anglisht atëherë në Kosovë fillonim në të pestën dhe unë nuk mbarova klasën para se të shkojmë në Suedi. Në Suedi kishin pasë anglisht që në klasën e tretë dhe nxënësit ishin më përpara se unë. Ndërsa, unë duhej të mësoja më shumë vetë në kohën e lirë për të arritur në të njejtin nivel të dijenisë sikur pritet nga nxënsit dhe siç kërkohet për të arritur nota të larta. Këtë e bëja në të njëjtën kohë sa shkoja në shkollë si të tjerët, kërkonte më shumë përkushtim, punë dhe kohë. Mirëpo, mua gjithë më ka pëlqyer shkolla dhe nuk pritoja të mësoja ekstra më shumë, unë doja të dija aq sa ata. Edhe pse ndojëherë ishte e lodhshme, përsëri për mua ishte vese kënaqësi se mundimet kishin suksess të madhë dhe jo veç se arrita tek i njëjti nivel si tjerët dhe mësova shumë, por edhe i kaloja të tjerët nxënës dhe merrja notat më të mirat. Kjo më motivonte edhe më shumë. Prapë, ndonjëherë, kishte vështirësi me mësimdhëns, e cila e bënte atë lëndë më të vështirë dhe të lodhshme, por unë nuk u dëzova kurrë, besoj që çdokush e ka përjetur këtë donjëherë”, ka treguar Kaltrina.

Ajo më tutje ka numëruar sfidat që ka kaluar gjatë kohës së gjimnazit, duke treguar edhe sukseset që ka arritur gjatë asaj kohe.

”Sfida më e madhe sidomos gjatë gjimazit duhet të jetë mungesa e vetëbesimit në shumë raste. Unë kisha shumë ambicie dhe ëndrra të mëdha dhe doja të arrija të gjitha pa kompromis dhe të bëj gjithçka perfekt. Shumë herë shkonte mendja se a mundem ta bëj, a mjafton kapaciteti im, a është rruga e drejt etj. Arsyeja tek ky problem mendoj ka qenë se nuk kam pasë shembuj tjerë që kan kaluar të njejtën rrugë dhe se jam paksa perfeksioniste, mirëpo me këmbgullje dhe shumë mundime, kur edhe shihja arritjet me mia, dhe me përkrahjen e familjës të ngushtë ky problem nuk ekzistoj gjatë pasi fillova fakultetin. Në fakultet sfida më e madhe ishte të jesh larg familjes, të mësoheshe në një vend të ri. Ishte e lodhshme dhe e mërzitshme të jesh vetë dhe të bësh çdo gjë vetëm veç për vete. Shumë herë koha nuk mjaftonte se kisha shumë mësime dhe ditë të gjata në shkollë, ishte vërtet e vështirë të managjosh kohën si duhet për çdo gjë dhe të përballosh stresin. Por, edhe kjo u stabilizua hapë as hapi. Së fundi kemi natyrisht sfidat që paraqiteshin me përmbajtjen e kursve të ndryshme, e cila ishte disa herë më e vështirë dhe e lodhshme se herëve të tjera, si me çdo gjë. Por, ishte prapë kënaqësi, është e vërtetë kur thonë ”kur dëshiron një drejtim është shumë më e lehtë të përballosh çdo sfidë dhe kurs të vështirë.””, është shprehur 23 vjeçarja.

Për Kaltrinën arritjet e para kanë filluar në gjimnaz, aty ku ka mësuar shumëçka dhe është përgatitur mirë për në fakultet. Gjatë intervistës ajo ka treguar për arritjet në shkollim dhe jo vetëm e po ashtu edhe për arritjen më të madhe që ka pasur deri tani në karrierë, praktikën (mars-qershor 2019) që ka bërë në Agjencinë më të madhe Hapësinore në Botë-NASA-n.

”Pata mundësinë të merresha me një projekt në astronomi, me të cilin garova në finalen e një gare shkencore në Stockholm, nuk fitova çmimet e mëdha, veç një diplomë. Pastaj, për këtë punim në fund të vitit mora një çmim nga shkolla për punmin me të mirë nga të gjitha punimet atë vit (reth 400). Mora edhe çmime të vogla në lëndë të tjera për pjesëmarje të shkëlqyer dhe rezultate të larta, të cilat më ndihmuan me vetëbesimin dhe e vërtetova për vete që kam arritur tek i njëjti nivel si të tjerët me ambicie të mëdha. Pastaj, kisha arritje më shumë në falkutet, jo vetëm në rezultatet e mira në shkollim, por edhe në angazhimet e tjera, siç ishin; kryetare e dy organizatave për të rinjë dhe studentë (Nova Stella dhe ALVA), duke organizuar dhe drejtuar evente të ndryshme, që kishin të bënin me astronomi, si ligjërata nga shkencëtarë të ndryshëm. Gjatë 2018-ës fillova të bëhesha pjesë e stafit të një online podcast për astronomi/fizikë, ku bëjnë intervista me shkencëtarë për tema të ndryshme nga vrimat e zeza te planete etj, ku deri sot kam marrë pjesë dhe përgatitur katër episoda. Pastaj, arritja më e madhe dhe më me vlerë për mua personalisht dhe karrierën time ishte praktika në NASA dhe tema e dimplomimit për Bachelor që bazohet në punën në NASA.”, ka shpjeguar kosovarja që tani është duke kryer masterin në Suedi.

E pyetur se çka mund të ndihmojë njerëzit apo planetin duke u bërë austronome shumë e njohur, Kaltrina ka theksuar se gjëja e parë dhe më e rëndësishme është natyrisht sa zbulime mund të bëjë ajo në drejtimin e saj.

”Është vërtet e rëndësishme të kuptojmë se si funksionon bota jonë dhe universi, nga kjo mundemi të kuptojmë se si të ndihmojmë botën të përmirësohet në mënyra të ndryshme. Përshembull, kur punojmë me formim të planeteve siç unë mendoj të bëj, ne mësojmë se si krijohen planetet, si është krijuar toka, në çfarë fazash ka kaluar deri sot dhe pse. Kjo mund të na tregojë se si ne mund të ndihmojmë planetin tonë kundër shkatrrimeve natyrore dhe ato që janë shkaktuar nga njeriu. Mund edhe të kuptojmë se si të kërkojmë jetë jashtë tokës, gjë që do ishte shumë me rëndësi. Përndryshe, astronomët në bashkpunim me inxhinierë apo profesione të tjera mundem të krijojnë mjete të ndryshme që në fillim janë menduar për studime/observime në astronomi, mirëpo mund të përdorën edhe në jetën e përditshme. Disa shembuj që kam dëgjuar/lexuar janë; kamerat e telefonave, të cilat janë përmisuar shumë sipas nevojave për të observuar objekte larg nga ne apo që nuk janë aq të ndritshumë, e tani përdoren nga çdokush për fotografi të ndryshme. Shembuj të tjerë interesantë janë: termometeri për të matur temperaturën e trupit, cila u krijuan si një mënyrë për të matur temperaturat e yjeve përmes energjisë infra të kuqe. Ka edhe teknologji të tjera që janë zhvilluar me ndihmën e puntorëve të NASA-s që kanë pasur përvoja të ndryshme nga punimet me raketa apo gjëra të tjera që kanë të bëjnë me astronomi/fizikë; një shembull është pompa kardiologjike, që ndihmon një njeri të sëmurë nga zemra të jetojë, duke ia qarkullur gjakun derisa të gjendet ndonjë donator.”, ka thënë austronomja Kajtazi.

Sipas saj, është pak e vështirë të thuhet se çka saktësisht ajo mund të bëjë si astronome përveç se të gjejë përgjigjie të mistereve të ndryshme të universit, kuptim dhe dije për botën, ku jetojmë dhe për universin, të cilit i përkasim.

”Shumë nga zbulimet dhe tekonologjinë që në fillim është krijuar/zhvilluar për të studiuar astronominë siç kërkohet nga astronomët dhe punuar në bashkëpunim me inxhinierë të ndryshëm, tashmë janë aplikuar në jetën e përditshme të njeriut dhe janë mjete shumë të rëndësishme për jetën tonë, që nuk mund të bëjmë pa to. Përndryshe, unë kur të bëhem astronome me përvojë, më shumë shpresoj që do të mund të kem mundësi më direkte të përkushtoj kohën dhe të dhënat e mia për bamirësi në Kosovë dhe në vendet e tjera ku ka nevojë, këtë e kam menduar gjithmonë. Është mrekulli të bëjë atë që dua më së shumti, astronominë, dhe nga ajo punë edhe të mundë të iu jap ndihmë njerzëve me kushte të rënda.”, ka theksuar më tutje ajo.

Kaltrina, e cila ka kaluar sfida të ndryshme deri te sukseset që gëzon tani, duke përfshirë edhe kryerjen e praktikës në NASA, ka dhënë disa mesazhe për të rinjtë kosovarë.

”Mesazhi im për të rinjtë kosovar është së pari që asnjëherë të mos heqin dorë nga ëndrrat dhe synimet e tyre, nuk mund ta them majftueshëm se sa e rëndësishme të mos heqësh dorë nga ëndrrat. Për gjithkënd, pa marrë parasysh cila është ëndrra, ka sfida që ne duhet t’i përballojmë dhe t’i tejkalojm, vetëm duhet të punojmë shumë dhe të mos dorëzohemi. Tjetri mesazh me shumë rëndësi është të mos shikoni veç një rrugë, nëse diçka nuk funksionon, atëherë kërkoni zgjidhje tjera dhe kërkoni ndihmë kur keni nevojë. Keni vetëbesim dhe bëni atë që duhet për të arritur ëndrrat dhe ambiciet e juaja, mos humbni shpresën asnjëherë dhe mbajeni në mend se është shumë mirë të keni shumë kontakte të ndryshme. Nga ato kontakte mund të hulumtoni se çfarë mundësish ka dhe ndoshta iu jipet një mundësi që ju nuk e keni pasë ndërmend apo menduar që ekziston, po që është pikërisht ajo që të duhet për të arritur ku dëshroni ju.”, ka këshilluar austronomja.

Ajo më tutje ka theksuar për të rinjtë që të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre sado e vështirë që të jetë rruga e tyre, nëse atë e duan me shpirt.

”Një këshillë praktike është të pasuroni CV-në tuaj, gjithë kohën duke u marrë me organizata apo gjëra të ndryshme të tilla, se ajo ka vlerë shumë kur kërkon punë apo një bursë për studime në vend ose jashtë vendit. Dhe së fundimi, mundohuni të keni një bazë të fortë edhe nëse nuk është specifik në atë drejtim që ju dëshironi menjëherë, prapë mund të jetë ajo bazë që ju dërgon drejt rrugës që doni. Dua të them për shembull nëse doni astronominë, po nuk mund t’ia filloni aty, atëherë krijoni një bazë të fortë në fizikë, e cila mund të ju qoj deri tek astronomia më vonë në karrierë. Mos këmbëngulni në një rrugë që nuk ka funksionuar e të dëshproheni dhe të dorëzoheni, por, hulumtoni mënyra të tjera derisa të gjeni një. Unë mendoj që është më mirë të punoni shumë vite për një endërr dhe ta shijoni një kohë të shkurtë se sa të dorëzoheni herët dhe të merreni një kohë të gjatë me diçka që nuk ju pëlqen, në mungesë të asaj ëndrre, të cilën e keni lënë. Edhe nëse udhëtimi është i vështirë, padyshim kur të arrini cakun, herët apo vonë, gjithçka do ketë vlerë dhe padyshim edhe do mësoni shumë gjëra gjatë rrugës së gjatë që keni marrë për të jetuar ëndrrën. Vetëm beso, puno sa duhet dhe mos humbë shpresën. Unë e zgjodha një rrugë drejt astronomisë, që ishte të shkoj në Suedi ku ka mundësi për të jetuar ëndrrën, mirëpo, nuk ishte rrugë e lehtë, por e duhur. Edhe po të isha në Kosovë nuk do të kisha lënë gurë pa rrotulluar (siç thotë shprehja popullore, nuk e di faktikisht ndoshta është shpreje suedeze jo shqipe), derisa të gjeja një rrugë, të gjatë apo të shkurtë, drejt apo përreth që do të më dërgonte te një karrierë në astronomi. Vërtet, nuk e shohë vetë të merrem me diçka tjetër, s’ka rëndësi sa e rëndë apo çfarë sfidash kaloj gjatë kësaj rruge, veç e di se është rruga e duhur për mua dhe që e dua me shpirt. Nëse edhe ju keni një dëshirë/pasion të tillë mos e lëshoni, çfarëdo sfidë të keni, ia vlen.Uroj shumë suksese, shpresa dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë!”, ka përfunduar austronomja nga Kosova që jeton dhe studion në Suedi.
  • Shpërndaje: